Entet Rregullatore
Entet rregullatore të industrisë së titujve në Republikën e Shqipërisë janë Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare. Banka e Shqipërisë është institucioni që liçenson, monitoron dhe mbikëqyr bankat e nivelit të dytë si dhe një grup të caktuar institucionesh financiare jo-banka. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare është institucion juridik publik, i pavarur që raporton në Kuvendin e Shqipërisë, misioni i të cilit është mbikëqyrja dhe rregullimi i sektorit financiar jo-bankar në Shqipëri..
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është enti rregullator i industrisë së titujve në Republikën e Shqipërisë. AMF u krijua në bazë të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, si institucion juridik publik, i pavarur që raporton në Kuvendin e Shqipërisë. Misioni i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është mbikëqyrja dhe rregullimi i sektorit financiar jobankar në Shqipëri. Ky mision udhëhiqet nga parimet dhe normat e pavarësisë, përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit. Roli rregullator dhe regjimi mbikëqyrës i AMF-së, synon nga njëra anë stabilitetin dhe zhvillimin e tregjeve të sigurimeve, kapitaleve dhe pensioneve private e nga ana tjetër mbrojtjen e konsumatorit. .
Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë është enti rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit bankar duke qenë institucioni që licenson, monitoron dhe mbikëqyr bankat e nivelit të dytë si dhe një grup të caktuar institucionesh financiare jo-banka. Duke qenë se bankat e nivelit të dytë janë operatorë të rëndësishëm në industrinë e titujve (kryesisht në tregun e titujve të borxhit të Qeverisë), BSH konsiderohet si një institucion rregullator kyc në industrinë e titujve, në aspektin e lejimit të bankave për të ushtruar aktivitetin në këtë industri si dhe për të mbikëqyrur ekspozimin e tyre në investimet e portofolit.
